Çfarë Ndodhi Kur Arkitektura Botërore Takoi Tiranën?

Më 6 Qershor, në një atmosferë që nuk i ngjante asgjëje që kishte ndodhur më parë në qytet, Tirana u kthye në epiqendrën e arkitekturës botërore. “Bread & Heart Festival”, mbajtur në The Book Building pranë Sheshit Skënderbej, mblodhi në një skenë të vetme emrat më të mëdhenj të arkitekturës ndërkombëtare – nga Winy Maas (MVRDV), te Kengo Kuma (Kengo Kuma and Associates, Japoni), Stefano Boeri (Boeri Architetti, Itali), Steven Holl (Steven Holl Architects, SHoP, SHBA), Amanda Levete (AL_A, Mbretëria e Bashkuar), Alejandro Aravena (Elemental, Kili), Chris Precht (Studio Precht, Austri), Elora Hardy (Ibuku, Indonezi), Xaveer De Geyter (XDGA, Belgjikë), Pier Paolo Tamburelli (Baukuh, Itali), Mikkel Frost (CEBRA, Danimarkë), Emre Arolat (EAA, Turqi), Anupama Kundoo (Studio Kundoo, Indi), Jose Selgas (SelgasCano, Spanjë), Benedetta Tagliabue (EMBT, Spanjë), Camilo Rebelo (Portugali), Kersten Geers (Belgjikë), Wilfried Kuehn (Gjermani), Amin Taha (Mbretëria e Bashkuar), Simon Demeuse (SHBA) e shumë të tjerë – në një dialog të rrallë me realitetin shqiptar.
Por kjo nuk ishte vetëm një konferencë. Ishte një akt krijues kolektiv, një festival ku arkitektura u shpreh përmes fjalës, muzikës, materialit dhe dorës së njeriut.

Një festë ku u prezantua Shqipëria e re, projektet më ambicioze, në një skenografi arti

Në zemër të Bread & Heart Festival, artistë dhe artizanë shqiptarë sollën një dimension të pazakontë dhe thellësisht autentik. 20 mjeshtre nga Albanian Night, përmes 3500 orëve pune të dorës, krijuan një pelhurë monumentale prej 66 m², që qëndiste historinë urbane të Tiranës dhe 20 vite të zhvillimit të saj arkitektonik.
Krahas saj, u shtuan 130 instalacione qeramike, të frymëzuara nga ikonografia shqiptare -interpretuar në forma bashkëkohore përmes objekteve moderne që ndërthurin traditën me një vizion të ri për të ardhmen urbane të qytetit.
Në këtë sfond vizual dhe emocional, u vendosën disa nga projektet më ambicioze të vendit – jo vetëm si objekte ndërtimi, por si ide që mishërojnë një qasje të re urbane.
Mes qeramikave, maketeve dhe teksturave që përfaqësonin ADN-në e re të qytetit, spikati edhe projekti Tirana Boulevard – një ndërtesë ikonike që po ngrihet buzë bulevardit të ri të Tiranës, aty ku do të kulmojë transformimi më i madh urban i dekadës së fundit.

Skena e PIK.al - ku kultura dhe qyteti flasin një gjuhë

Nga ana tjetër, artistët e PIK.al krijuan një skenë të rrumbullakët, të mbuluar me qilima shqiptarë, motive folklorike dhe elementë të trashëgimisë kulturore, duke krijuar një hapësirë ku ideja, materiali, identiteti dhe e ardhmja bashkëjetonin. Kjo skenografi unike mishëroi frymën e festivalit, e menduar si një dialog i hapur mes brezash dhe kulturash, që rrëfente një Shqipëri në transformim – nga brenda jashtë.

Tirana Boulevard - Nga vizioni i Winy Maas, në realitetin që po merr formë

Winy Maas, themelues i studios ikonike MVRDV dhe një nga arkitektët më me ndikim në botë, ishte prezent në festival për të ndarë vizionin e tij mbi qytetet e së ardhmes.
Ai është edhe ideatori dhe projektuesi i Tirana Boulevard, ndërtesa e parë që ka nisur ndërtimin në bulevardin e ri të Tiranës – një projekt me standard të ri, që po vendos themelet e një epoke urbane të re.
Dhe Tirana Boulevard ishte aty – jo si dëshmitar, por si simbol i këtij transformimi.